Vjen paralajmërimi i fortë për arrestime të reja nga Specialja, “dridhë” OVL UÇK-në dhe partitë e “krahut të luftës”

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se deklaratat e zyrtarëve të OVL UÇK-së, dhe të zyrtarëve të partive politike të dala nga i ashtuquajturi “krahu i luftës”, të cilët, arrestimet e fundit nga Specialja i cilësuan si spektakël, nuk kanë pse të na habisin, pasi sipas analistit, këto janë vetëm broçkulla, më anë të së cilave po mundohen të krijojnë mjegull në opinion.

Haziri është i mendimit se ajo çfarë po ndodhë më këto arrestime e fundit, është krejt si diçka normale, dhe që i takon drejtësisë.

“Nuk është pse na habisin deklaratat e OVL të UÇK-së apo partive politike të dala nga i ashtuquajturi “krahu i luftës”, me anë të së cilave aksionet e arrestimit të akuzuarve nga Gjykata Speciale, i cilësojnë si spektakle, si diçka kundër UÇK-së, vlerave të luftës dhe broçkulla të tjera më anë të së cilave mundohen të krijojnë mjegull në opinion dhe ta grisin një disponim dhe diskurs anti Gjykatës Speciale. Ajo çfarë po ndodhë më këto arrestime është krejt diçka normale që i takon drejtësisë dhe askush nuk duhet ta pengojë që drejtësia e pavarur siç është Gjykata Special eta bëjnë punën e vet”, është shprehur Haziri.

Ai paralajmëron se në javët e ardhshme do të priten edhe arrestime të reja, dhe se ky proces do të vazhdojë me një dinamikë më të përshpejtuar.

Image

Nexhat Haziri

FOTO GALERI

“Unë pres që në javën e ardhshme të ketë arrestime të reja dhe ky proces do të vazhdoj me një dinamikë më të përshpejtuar, sidomos tani pas tentimit që gjoja me të ashtuquajturat dosje të Gjykatës Speciale që vinin në zyrat e OVL të UÇK-së, të shantazhohet dhe të pengohet ky proces”, ka deklaruar ai.

Analisti Haziri madje ka edhe një parashikim rreth punës së Speciales, për të cilën thotë se fundi i këtij procesi nuk do të ndodhë deri në fund të vitit 2022.

“Fundi i këtij procesi do të jetë vetëm atëherë kur të gjithë të akuzuarit të cilët janë të implikuar në krime gjatë dhe pas periudhës së luftës, në veçanti të vrasjeve politike, të vihen para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar, por ky proces nuk është së do të ketë një përfundim të shpejtë pasi numri i të akuzuarve nuk do të jetë i vogël dhe procesi i gjykimit do të jetë një proces mjaft kompleks dhe jo i lehtë. Ajo që mund të parashikojë se Gjykata Speciale do të mund të përfundojë procesin e saj është fundi i vitit 2022”, tha në fund, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati janë arrestuar javën e kaluar dhe janë dërguar në Hagë, atje ku edhe do të gjykohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *