Meteorologu i Meteoalb, Hakil Osmani tha në Euronews Albania se moti gjatë kësaj jave pritet të jetë fillimisht i qëndrueshëm.

Sipas parashikimit e hëna do të mbizotërohet nga moti me diell ndërkohë që e marta pritet të ketë edhe vranësira, të cilat në orët e mbrëmjes do të sjellin prezencë shiu në pjesën më të madhe të territorit shqiptar.

Osmani sqaroi se e premtja dhe fundjava do të rikthejnë përsëri motin e qëndrueshëm.

Vlerat termike kanë nisur të freskëta në fillim javë, ku në zonat malore vlerat kanë shënuar deri në -2 gradë. Pritet një rritje me 2-3 gradë Celcius në ditët në vijim deri kur prezenca e reshjeve gjatë javës të ulë sërish vlerat termike, me minimumet deri ne -4 gradë Celcius në zonat malore.

Sa i takon motit në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, temperaturat dhe koha do të jetë e freskët dhe nga mesi i javës vlerat termike do të ulen. Qëndrueshmëria do të vijë gjatë fundjavës ku në dy shtetet fqinje do të mbizotërojë moti me diell dhe temperaturat e ngrohta, njësoj si në Shqipëri.